Thaçi në ditën e pranimit të Kosovës në UEFA përkujton Fadil Vokrrin
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në UEFA para katër vjetësh ka krijuar një entuziazëm të papërshkrueshëm.
Me këtë rast, Thaçi ka kujtuar edhe legjendën e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin, i cili sipas tij ai i ka sjellë vetëm suksese vendit tonë.
“Federata e Futbollit të Kosovës, para 4 vjetësh, zyrtarisht u pranua në UEFA. Kjo ishte pikënisje e një rrugëtimi të jashtëzakonshëm të kombëtares sonë në futboll në garat ndërkombëtare, e cila me talentin, energjinë, vetëbesimin dhe fitoret na magjepsi të gjithëve. Në këtë ditë kujtojmë Fadil Vokrrin, legjendën e futbollit, strategun dhe njeriun që Kosovës tërë jetën e tij i solli vetëm suksese. Anëtarësimi i jonë në UEFA krijoi një entuziazëm të papërshkrueshëm dhe ishte një kthesë e madhe për futbollin, popullin dhe shtetin e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.