Thaçi: Ne fillojmë negociatat me VMRO-n në momentin kur ata janë gati ta tregojnë ditën për ndryshimet kushtetuese

29 prill 2024 | 16:34

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSh), Menduh Thaçi, ka thënë se “Fronti Evropian”, pjesë e të cilit është edhe partia e tij, do të fillojë negociatat me partinë nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE, në momentin kur ata janë të njëjtit t’i votojnë ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme për integrimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian (BE).

Këto komente, Thaçi i ka bërë në një intervistë për “Euronews Albania”, derisa ka treguar edhe bisedën që ka pasur me përfaqësues të VMRO-së në lidhje me koalicionin e mundshëm me ta pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit.

“Ne do të fillojmë negociata serioze me ta në ditën kur ata të na tregojnë ditën dhe datën dhe orën kur mendojnë ta ndryshojnë Kushtetutën, kushtin kryesor për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, ka thënë Thaçi.

Kreu i PDSh-së, ka theksuar se ka qenë pikërisht ai që ua ka ndryshuar tezat VMRO-së, dhe “u kam thënë se kjo çfarë po bëni ju është manipulim i tezave”.

“Ne do të mundohemi që t’i bindim njerëzit tanë që sa më shumë t’i japin vota Frontit, aq më pak janë mundësitë që politika nacionaliste dhe anti-perëndimore e VMRO-DPMNE-së të arrijë të kurorëzohet me sukses qeverisë”, ka thënë Thaçi.

Situata aktuale me paranegociatat – siç e ka quajtur ai  me VMRO-në, “është pak e komplikuar”.

“Unë kam raporte tradicionale qeverisëse me VMRO-DPMNE-në, mirëpo këtë herë negocimi me ta është shumë i vështirë, shumë i rëndë. Ata çojnë mesazhe në publik të cilat nuk korrespondojnë me real-politikën e cila ndodh”.

“Në një paranegocim me ta, mos ta quaj negocim, ata paraqesin një problem që për mua nuk është parësor”, ka thënë ai.

Sipas Thaçit, partia nacionaliste maqedonase dëshiron ta mbrojë vokabularin e tyre se Bashkimi Demokratik për Integrim, që drejtohet nga Ali Ahmeti, është problem për ta dhe kështu të krijojnë sa më shumë simpati të maqedonasit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, ka thënë se…