Thaçi në Forumin e Paqes në Paris flet për marrëveshjen Kosovë-Serbi
Presidenti Hashim Thaçi ka bërë me dije se në Forumin e Paqes në Paris ka kërkuar që të mbështeten përpjekjet e Kosovës dhe të Evropës për forcimin e paqes përmes dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“Qytetarët e Ballkanit e njohin shumë mirë konfliktin e interesave, ndikimeve dhe ideologjive. Por, bota demokratike assesi nuk duhet të lejojë që forcat shkatërruese të ngadhënjejnë mbi mendjet dhe kryeqytetet e Ballkanit, Evropës dhe më gjerë. Kundërshtarët e paqes janë në dijeni se një marrëveshje paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta prekte planin e tyre destruktiv, plan ky që synon të thyejë Evropën, të shemb standardet demokratike, të mashtrojë dhe të përçajë evropianët dhe të imponojë një moral të vjetër, që e kanë vuajtur dhe duruar gjatë gjeneratat e përparme”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shtuar se: “Por, derisa ata e dinë shumë mirë pse e kundërshtojnë paqen në mes Kosovës e Serbisë, edhe ne e dimë shumë mirë pse duhet të angazhohemi me çdo forcë që ta arrijmë atë. Popujt tanë ia kanë borxh vetvetes dhe gjeneratave të reja që ta zhdukin vijën e frontit që ka lënduar rajonin tonë me shekuj. Ia kemi borxh edhe Evropës, sepse është e vetmja rrugë që mund të garantojë lirinë e qytetarëve tanë, respektin për të drejtat fondamentale të njeriut dhe zhvillimin ekonomik të vendeve tona”, ka shkruar presidenti Thaçi.