Thaçi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: Ju flas si Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka thënë që kjo senacë e thirrur nuk është e jashtëzakonshme pasi transformimi i FSK-së në ushtri është një vendim normal.
“Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur në Kosovë, jemi thirrur në një seancë të jashtëzakonshme kur jemi në një gjendje krejt normale në Kosovë. Ajo që ka ndodhur është një vendim krejt normal, në mision dhe qëllim. Gabimi i vetëm që Kosova ka bërë është se ka pritur pesë vite pa nevojë për themelimin e ushtrisë. Vendimi për ushtrinë është i vonuar, dhe assesi i gabuar. Është i vonuar sepse kemi pritur vullnet të mirë nga ata që kurrë nderi më tani, nuk e treguan në raport me Kosovën”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, transformimi i FSK-së në ushtri, nuk është bërë në kundërshtim as të Rezolutës 1244, as Pakos së Ahtisarit dhe as me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Thaçi ka thënë se shteti i Serbisë është paraqitur i zemëruar por jo edhe qytetarët serbët të Kosovës, ndërsa në cilësinë e presidentit dhe komandantit suprem Thaçi ka thënë se ushtria do të sjellë “paqe dhe stabilitet”.
“Nuk është mesazh që e kemi ndërmarrë ndaj dikujt. Ushtria e Kosovës do të jetë profesionale dhe shumetnike. Mbi 10 për qind janë nga komunitetet jo shumicë, serb, turq, shkali, romë. Një forcë e cila do të mbrojë çdo qytetar të Kosovës, çdo fëmijë, çdo të ri, pavarësisht gjuhës që ata flasin në shtëpi”, ka thënë ndër tjerash presidenti Thaçi.