Thaçi: Në Kosovë nuk do të ketë Republikë Srpska
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fjalimit të tij në Samitin e Brdo-Brijunit, ka folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se nuk do të ketë asociacion të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive në Kosovë.
Thaçi ka thënë se marrëveshja finale Kosovë-Serbi nuk do të nxjerrë një Republika Srpska në Kosovë.
Më tutje, ai ka thënë se çdo ditë, javë a muaj që kalon pa një marrëveshje të tillë, vetëm sa do të thellohet hendeku Kosovë-Serbi, e që sipas tij, në këtë mënyrë do të mund të ketë edhe reflektime në rajon.
Gjatë fjalës së tij në këtë samit, Thaçi ka folur edhe për Samitin e Berlinit dhe atë që pritet të mbahet në Paris në muajin korrik.
Presidenti Thaçi ka thënë se shpreson që takimi i Prasit do të ketë diçka konkrete në mënyrë që të lëvizet përpara në procesit e dialogut Kosovë-Serbi.
Thaçi ka theksuar se nuk e ka pritur mirë faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç ka thënë ai, nuk kanë qenë të informuara dhe koordinuara për Samitin e Berlinit.
Ai ka thënë se Samiti Brdo-Bijuni po mbahet në një kohë shumë të rëndësishme për rajonin dhe për të ardhmen evropiane të vendeve.
Sipas Thaçit, vendet kanë punuar në mbylljen e çështjeve të hapura dhe zgjidhjen e tyre./Ksp/