Thaçi në Paris kërkon mbështetje të BE-së për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur një ligjëratë në Këshillin Evropian për Punë të Jashtme në Paris.
Para diplomatëve, përfaqësuesve shtetërorë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe të jetës publike në Francë, Thaçi ka folur për rëndësinë e integrimit në Bashkimin Evropian dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe ndërmjet shteteve në Ballkanin Perëndimor.
“Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Evropian sapo ka publikuar konkluzionet për Ballkanin Perëndimor. Unë gjithmonë kam bërë thirrje dhe e mirëpres vëmendjen e shtuar të BE-së për zgjerim me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Përkundër sfidave të shumta që po kalon BE-ja, unë i përgëzoj vendet anëtare të BE-së për arritjen e konkluzioneve të tyre pozitive për dhënien e sinjalit të tyre të portokalltë për hapjen e negociatave me dy shtete të tjera në Ballkanin Perëndimor: Shqipërisë dhe Maqedonisë në qershor të vitit të ardhshëm. Sa më shumë përparon rajoni drejt BE-së, aq më mirë është për të gjithë ne, sepse kjo thjesht nënkupton më shumë stabilitet, paqe më të qëndrueshme, bashkëpunim ndërfqinjësor, më shumë investime të huaja dhe mirëqenie më të madhe”, u shpreh Thaçi.
Ai tha se dëshira për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian është ende e madhe në rajonin tonë dhe i ka bërë thirrje BE-së që të përfitojë nga ky momentum, që ta afrojë rajonin edhe më shumë seç ka bërë deri më tani.
Thaçi ka folur edhe për kontekstin në të cilin rajoni ynë po punon drejt integrimit në BE.
“Ne nuk mund të shtiremi sikurse kriza ekonomike, kriza e migracionit dhe referendumi i Brexit-it nuk kanë ndodhur. Do të ishte gjithashtu naive të mendohej se ato ngjarje nuk kanë ndikuar dhe nuk vazhdojnë të ndikojnë në perspektivën tonë evropiane. Hezitimi i shteteve anëtare të BE-së për të hapur negociatat menjëherë me Shqipërinë dhe Maqedoninë, përkundër rekomandimit të Komisionit Evropian, ka të bëjë më shumë me çështjet e tyre të brendshme politike sesa me ato dy shtete dhe meritat e tyre përkatëse. Është fare e lehtë që në raste të këtilla të përqendrohemi vetëm në anët negative. Por, është edhe më e rëndësishme të pranohet se, në të njëjtën kohë, ekzistojnë disa trende shpeshherë të kundërta që janë fare të dukshme. Të shumtë ishin ata që parashikuan një efekt domino të Brexit-it menjëherë pas referendumit, por ajo që kemi parë që atëherë është se 27 shtetet e BE-së kanë qëndruar të patundura si anëtare të BE-së”, u shpreh presidenti Thaçi.
“Është përgjegjësi e shteteve anëtare që të mos u nënshtrohen këtyre kërcënimeve dhe të sigurojnë se zhvillime pozitive, të tilla si zgjerimi i BE-së, ende mund të ndodhin. Prandaj mesazhi im kryesor është ky: çfarëdo të jenë problemet, ato nuk duhet të përdoren si justifikim për vendet anëtare që të mos e mbështesin perspektivën e shteteve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE apo të humbasin momentumin aktual për zgjerimin”, ka thënë ai.
Thaçi ka thënë se eurospekticizmi dhe lodhja nga zgjerimi nuk duhet të përdoren nga politikanët në rajonin tonë si një justifikim për të mos u reformuar, zhvilluar dhe përmirësuar jetën e qytetarëve.
“Për Kosovën është koha e fundit që qytetarët e saj të çlirohen nga gjendja aktuale e izolimit. Kosova është shteti i vetëm në rajon ku qytetarët e saj janë të privuar të lëvizin pa viza në zonën Shengen. Kemi përmbushur secilin nga 95 kriteret e përcaktuara nga Komisioni Evropian. Kemi vendosur të gjitha masat e nevojshme institucionale për të parandaluar çdo ndikim migrues dhe qytetarët tanë tani shikojnë nga Evropa që edhe ajo ta mbajë fjalën e dhënë. Justifikimet se nuk është momenti i duhur për shkak të ngjarjeve apo ndjenjave të ndryshme brenda BE-së, tani jo vetëm që janë vështirë të kuptueshme për këdo, por janë edhe të papranueshme”, ka thënë ndër të tjerra ai.