Thaçi nga Brukseli: BE-ja duhet ta përshpejtojë rrugëtimin e Ballkanit drejt familjes evropiane
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, është takuar me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe komisionarin për zgjerim të BE-së, Johanes Hahn.
Pas këtyre takimeve, presidenti Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se BE-ja duhet ta përshpejtojë rrugëtimin e Ballkanit drejt familjes evropiane.
“Republika e Kosovës e ka orientim strategjik Bashkimin Evropian. Në takimet e sotme me presidentin Tusk dhe komisionarin Hahn në Bruksel, ritheksova se zvarritja e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë është e pakuptimtë dhe e papranueshme. Bashkimi Evropian, pa vonesa të tjera, duhet ta marrë vendimin për heqjen e vizave dhe duhet ta përshpejtojë rrugëtimin e Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane. Status Quo-ja dhe mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor tejkalohen vetëm me lidership dhe vizion të qartë të Bashkimit Evropian për tërë rajonin tonë”, ka shkruar Thaçi.
/Epoka e re/