Thaçi nga Brukseli kërkon unifikimin e spektrit politik
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar unifikimin e spektrit politik në raport me dialogun me Serbinë.
Gjatë një adresimi para gazetarëve në Bruksel, Thaçi ka thënë se nuk anon as nga pozita dhe as nga opozita.
“Unë nuk anoj as nga pozita e as opozita. Ftoj për dialog dhe mirëkuptim. Të gjithë jemi ballafaquar me Serbinë. Të gjithë e dimë që pa një marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, nuk ka lëvizje të lirë në Bashkimin Evropian. Me mesazhin që Kosova duhet ta rrisë unitetin dhe përgatitjen qytetare. Të fuqizojmë idetë dhe vlerat tona euroatlantike. Të jemi të vetëdijshëm që për hapat të cilët na presin në Bashkimin Evropian duhet të përmbyllim mosmarrëveshjen me Serbinë”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka thënë se Kosova është unike për çështjen e dialogut në tentim të arritjes së një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
Më tutje, Thaçi ka thënë se refuzon kategorikisht ndarjen e Kosovës.
“Nuk jam pro dhënies së territorit. Kategorikisht refuzoj ndarjen e Kosovës apo dhënien e territoreve. Refuzoj Republikën Srpska. Është në interes që të arrihet marrëveshja obligative. Mos kërkoni t’ju tregoj se çka po kërkon Serbia, ata flasin për vete ne për vete”, ka theksuar Thaçi.
Thaçi është takuar të premten në Bruksel me shefen e diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini, por jo edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq edhe pse ishte paraparë një takim i tillë.