Thaçi nga Brukseli: Nëse s’ka marrëveshje, jemi dy vende të humbura (Video)
Ka filluar në Bruksel takimi në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq.
Thaçi ka deklaruar se do të punojë me vullnet të mirë për të arritur marrëveshje me shtetin fqinj.
Sipas tij, kjo marrëveshje ka fuqinë që të hapë perspektivën evropiane për të dy shtetet, Kosovën dhe Serbinë.
“Sot jemi këtu në Bruksel për të shënuar fillimin e fazës finale të dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Dëshiroj të falënderoj Bashkimin Evropian për rolin që e ka marrë në udhëheqjen të këtij procesi, por dhe mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E di që do jetë një proces i vështirë, i rëndë, por është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për arritjen e paqes dhe marrëveshjes përfundimtare për normalizim dhe pajtim. Kosova është gati të punoj në mënyrën shumë të përgjegjshme që të arrihet marrëveshja duke u bazuar në standardet dhe vlerat evropiane”, ka thënë Thaçi, raporton “Kosovapress”.
Për më tepër, Thaçi ka thënë se nëse kjo fazë e dialogut dështon të prodhojë marrëveshjen përfundimtare, atëherë sipas tij Kosova dhe Serbia do të jenë të humbura.
“Ne jemi duke kaluar si dy vende në një proces të një konflikt të ngrirë që mund të ketë pasoja të pariparueshme për të ardhmen nëse nuk arrihet një marrëveshje e paqes dhe pajtimit. Andaj do punoj me vullnetin më të mirë për arritjen e marrëveshjes, një marrëveshje kjo që do të hapë perspektivë sigurt evropiane për të dy vendet. Nëse nuk arrihet marrëveshje do jemi të dy vende të humbura, por unë jam me shpresë”, ka thënë Thaçi.
Ky takim është i pari në kuadër të fazës finale të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Takimi mbahet me ftesë të përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme dhe për siguri të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.