Thaçi: Njohje reciproke me Serbinë, pa ndarje dhe shkëmbim territoresh
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë të enjten se mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shumë të vogla, porse do të bëhen përpjekje maksimale që kjo marrëveshje të arrihet.
Këtë deklaratë, Thaçi e ka bërë në Konferencën e pestë të ambasadorëve të Republikës së Kosovës, që po mbahet në Prishtinë.
Thaçi ka thënë se një marrëveshje e paqes me Serbinë do të ketë kuptim vetëm nëse ndodh njohja reciproke.
“Njohja reciproke duhet të pasohet me heqjen e të gjitha pengesave për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare, si dhe të bëhet demarkacioni i plotë i kufirit, përfshirë edhe Luginën e Preshevës, Medvegjën dhe Bujanocin”,ka thënë Thaçi.
Ai ka theksuar se Kosova nuk do të ketë kuptim pa Mitrovicën e Ujmanin dhe se “nuk do të ketë ndarje ose shkëmbim territoresh, si dhe nuk do të ketë Republikë Serbe në Kosovë”.