Thaçi: Nuk do të ketë forcë që na detyron të flasim për ndarjen e Kosovës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka quajtur shqetësues zërat që flasin për ndarjen e Kosovës, duke thënë se me apo pa vetëdije ata po e sensibilizojnë idenë e kamotshme të Serbisë për ndarjen e Kosovës.
“Fatkeqësisht jemi edhe dëshmitarë të opinioneve dhe lajmeve të rrejshme, që po i quani ju mediet ‘Fake news’, jam sot këtu që si president i vendit edhe një herë t’iu siguroj që nuk do të ketë forcë që do ta detyrojë Kosovën të diskutojë, e lëre më të pajtohet me ndarjen e saj”, ka deklaruar Thaçi në një konferencë me gazetarë.
Thaçi ka ftuar spektrin politik që të jenë unik, t’i lënë anash interesat e partive politike dhe të mos ketë vonesa sikur për demarkacionin dhe themelimin e ushtrisë.
Presidenti është shprehur i zhgënjyer me pamundësinë e Kuvendit që gjatë ditës së djeshme të votojë rezolutën e përbashkët për negociatat me Serbinë.