Thaçi: Nuk do të ketë ndarje të Kosovës pa shkelur mbi trupin tim
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën e tij në Samitin e dytë të Diasporës që po mbahet në Tiranë, ka thënë se organizimi i ndonjë konference me Rusinë, shkëmbimi i territoreve, ndarja e vendit dhe ideja e Unionit Ballkanik kurrë nuk do të ndodhin.
“Nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë organizimin e ndonjë konference ndërkombëtare ku participon edhe Rusia. Kosova do të angazhohet vetëm në një proces ku udhëhiqet nga BE-ja dhe ka mbështetjen e ShBA-së. Në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim nuk do të lejojmë as të qarkullojnë idetë për Union Ballkanik, pasi është cenim i kombit tonë, i vlerës euroatlantike dhe është rikthim për kombin tonë. Unioni ynë është ai i Bashkimit Evropën, NATO dhe miqësia me SHBA-të”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, edhe shkëmbimi i territorit apo ndarja e Kosovës nuk do të ndodhin asnjëherë.
“Shkëmbimi i territoreve nuk do të ndodhë. Shkëmbimi është pazar dhe nuk do të lejojmë të bëjmë pazare me territore. Ndarja e Kosovës pa shkelur mbi trupin tim nuk do të mund të cenojë as një milimetër të territorit të Kosovës. Askush nuk do të mund të cenojë Trepçën, Ujëmanin, as edhe një pjesë të territorit të Kosovës”, ka thënë Thaçi.