Thaçi: Nuk do të lejojmë asnjë lloj sovraniteti të dyfishtë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar sot se Samiti i Berlinit do të jetë një mundësi e mirë për hapjen e perspektivës për gjithë rajonin.
Para nisjes për në Samitin e Berlinit, presidenti Thaçi në një konferencë për media, ka thënë se Kosova shkon me qëndrime të qarta në këtë samit.
“Nesër mbahet takimi i Berlinit kushtuar zhvillimeve aktuale në Kosovë në veçanti, do të jetë një mundësi e mirë që të hapen perspektiva të mira për rajonin. Kosova shkon me qëndrime të qarta, pasi ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Kosova është e qartë që të vazhdojë dialogun, një marrëveshje që hap mundësi për dialog, por në asnjë mënyrë kushtëzim. Pres që të dënohet gjenocidi, nga iniciatorët e këtij takimi. Gjithashtu potencoj që pozicioni ynë është kushtetues dhe ligjor. Nuk pres që do të ndodhë dialog apo negociata, por unë vazhdoj të theksoj pozicionin tim për bashkëngjitje të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Nuk do të lejojmë asnjë lloj sovraniteti të dyfishtë, as ndonjë model gjermano-gjerman apo asnjë lloj asociacioni”, ka thënë Thaçi.