Thaçi nuk e dekreton Ligjin për pagat, hyn në fuqi në mënyrë të heshtur
Projektligji për pagat ka hyrë në mënyrë të heshtur në fuqi pas përfundimit të afatit ligjor për dekretim nga ana e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit.
Në një përgjigje të dhënë për “klankosova.tv”, nga Zyra e Presidencës kanë konfirmuar se ky projektligj nuk është dekretuar. “Projektligji për Pagat nuk është dekretuar nga Presidenti, por pas përfundimit të afatit ligjor ka hyrë në mënyrë të heshtur në fuqi”, është thënë në përgjigjen e kësaj zyre.
Më tutje, Zyra e Presidencës ka pohuar se kanë pranuar zotime nga ligjvënësit që në të ardhmen e afërt do t’i bëjnë plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme të këtij projektligji.
“Zyra e Presidentit ka marrë premtime nga sponsorët e këtij projektligji, se do t’i marrin parasysh të gjitha shqetësimet e paraqitura dhe në të ardhmen e afërt do t’i bëjnë plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme”, është thënë në përgjigjen e Zyrës së Presidencës.