Thaçi: Nuk frikësohem nga Specialja
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi vlerësoi se iniciativa e deputetëve për Gjykatën Speciale nuk i dëmton marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Në një intervistë për “RTV Dukagjini”, presidenti i Kosovës ka thënë se nënshkrimet e deputetëve të Kuvendit duhet të merren seriozisht.
Thaçi përsëriti se vendimet e Parlamentit do t’i respektojë me përpikëri.
“Askënd nuk e inkurajoj, por me vendosmëri e nënshkruaj do vendim të Kuvendit të Kosovës. Sikur kjo iniciativë të ishte joligjore dhe kundër drejtësisë, do të isha i pari që do ta refuzoja. Në vitin 2015 më kanë akuzuar që po inicioj themelimin, tash flasin për gjëra tjera, nuk më intereson bota spekulative. Unë qëndroj prapa respektimit të plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Republikës së Kosovës dhe garant i funksionimit demokratik dhe normal, por edhe kontribuues i unitetit politik”, ka thënë ai.
Sipas tij, iniciativa e deputetëve nuk është përpjekje për shfuqizimin e Speciales, por një alternativë që mundëson trajtimin e të gjitha krimeve në Kosovë.
Tregoi edhe nëse frikësohet nga Specialja.
“Unë nuk kam parë përpjekje të askujt për ta zhbërë Gjykatën Speciale. Ndërsa, sa i përket gjërave që ju i ngritni, nuk besoj që i di askush në Kosovë. Në asnjë rrethanë nuk i frikësohem Gjykatës Speciale. Dinjitetin dhe krenarinë e luftës sime prej pushkës së parë kundër Serbisë deri në bërjen e Kosovës së lirë dhe të pavarur, nuk ka proces që mund ta lëndojë dhe mund ta cenojë”, deklaroi ai.
Duke folur për Demarkacionin, Presidenti Thaci tha se gjatë muajit janar do të diskutohet në nivel politik e institucional, në mënyrë që të përmbyllet ky proces.
“Nëse kjo nuk do të ndodhë gjatë muajit janar, atëherë raporti i Presidentit Juncker do të jetë aspak i pëlqyeshëm për qytetarët e Kosovës, që nënkupton vazhdim i izolimit të padrejtë të qytetarëve nga Bashkimi Europian”, ka thënë ai.
Sipas tij, marrëveshja me Malin e Zi për Demarkacionin e kufirit, e arritur më 2015, është e qartë, por duhet të shikohen mundësitë e integrimit të ndonjë ideje eventuale.
“Marrëveshja e gushtit është e qartë, e saktë, e pranueshme nga Bashkësia Ndërkombëtare, por ne duhet të shikojmë të gjitha mundësitë e integrimit të ndonjë ideje, apo mundësie alternative që mund të dalë prej njerëzve”.
Marrëveshja, vazhdoi Thaçi, nuk mund të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit, pasi që nuk pranon Mali i Zi.
Thaçi, më tutje, theksoi se pret nga Serbia që ta njohë Kosovën, ndryshe dialogu në Bruksel nuk ka kuptim. Bisedimet, në një format tjetër, la të kuptohet se do t’i drejtojë ai, duke thënë se me politike e jashtme të Kosovës, sipas Kushtetutës, udhëheq Presidenti.