Thaçi: Nuk i pranojmë kushtëzimet nga Serbia, taksa mbetet në fuqi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se tarifa e vendosur për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nuk do të hiqet.
Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, Thaçi ka thënë se nuk do t’i pranojë kushtëzimet nga Serbia për dialogun.
“Takimi i Berlinit, është fat që në fund me iniciativën e presidentit (Emmanuel) Macron, me pajtueshmërinë time, por edhe të presidentit (Aleksandar) Vuçiq, jemi dakorduar të ndodhë takimi i Parisit. Taksa është një diçka legjitime dhe e drejtë nga ana e Qeverisë së Kosovës, prandaj edhe do të mbetet në fuqi. Nuk do të lejojmë që dialogu të kushtëzohet nga Serbia”, ka thënë Thaçi.
Shefi i shtetit ka folur edhe për Samitin e Berlinit, që sipas tij nuk ka nxjerrë ndonjë konkluzion të qartë, derisa ka kritikuar sërish Bashkimin Evropian për mosunitet.
“Unë them që takimi (Samiti) i Berlinit, nuk ka nxjerrë ndonjë konkluzion të qartë, ndërsa jam optimist se në Paris, mund të kemi një qartësi dhe një dinamikë të re të angazhimeve për gjetjen e një mundësie për përmbylljen e dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, që mbyllen të gjitha çështjet e hapura me mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, dhe që rezulton me njohje reciproke”, është shprehur ai.
Ndërkaq, rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Thaçi e ka vlerësuar si të pashmangshëm. Thaçi ka deklaruar se është kundër shkëmbimit të territoreve, por është i bindur që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, duhet t’i bashkëngjitet territorit të Republikës së Kosovës.