‘Thaçi nuk jepte urdhra, shtabi ishte fiktiv’, Halitjaha flet për strukturën e UÇK-së gjatë luftës
Dëshmitari Sadik Halitjaha, ka thënë se në korrik të 1998-tës Hashim Thaçi e ka vizituar batalionin e Budakovës dhe se gjatë kësaj vizite sipas tij ai më shumë i ngjante politikanit se një luftaraku.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit, Halitjaha ka thënë se ai përpiqej se si zhvillohej lufta vetëm në aspektin teorik.
“Ai është caktuar nga Adem Demaçi apo nuk e di se kush e ka caktuar drejtor të drejtorisë politike në radhe të detyrës mendoj sikur ju që thatë se ai më shumë i ngjante një politikani një komisari se sa një luftaraku i cili vetëm përpiqej vetëm në aspektin teorik se si zhvillohej lufta se çfarë kemi në gjendje, në dispozicion, ku jemi dhe kush jemi”, ka thënë Halitjaha.
Halitjaha ka thënë se vizita e Hashim Thaçit në Budakovë ishte më shumë për kureshtje për shkak të betejave të korrikut të cilat i kishin fituar kundër pushtuesit, raporton “Nacionale”.
“Ardhja e tij në korrik në Budakovë me tepër ka qenë kureshtje për shkak të dy betejave me 3 korrik dhe me 4 korrik të fituara kundër pushtuesit dhe moralit të madh që u ngritë nga popullata që të mbushen radhët e UÇK-së, ka ardhur dhe ka bërë vizitë në batalionin e Budakovës”.
“Urdhrat nuk vinin as nga Hashim Thaçi, por nuk vinin as nga të tjerët mjerisht që ne kemi pritë e kemi idealizuar një shtab të përgjithshëm i cili duhet të jetë krejt funksional i cili duhet të ketë nivelin më të lartë të detyrës i cili realisht ka qenë gati thuaja fiktiv, thuaja fiktiv me shumë pak njerëz, shumë pak njerëz. Nuk besoj që Hashim Thaçin ka pas 2-3 vetë jo më shumë rreth vetës dhe nuk ka mund të bëjë edhe punën që e ka pas të bëjë për detyrë si duhet, por si do qoftë urdhrat nuk kanë ardhur prej Hashim Thaçit”, ka thënë Halitjaha.