Thaçi: Nuk ka marrëveshje të nënshkruar, do ta takoj ekipin negociator
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një përgjigje për “Radion Evropa e Lirë” ka deklaruar se nuk ekziston asnjë marrëveshje e nënshkruar me Serbinë, siç përflitet në deklaratat e disa politikanëve në Kosovë.
Nëpërmjet një përgjigje me shkrim, Thaçi ka thënë se aktualisht ndodhet në pushime, dhe se do ta takojë ekipin negociator qysh të hënën.
“Unë në vazhdimësi i kam informuar të dy bashkëkryesuesit e ekipit negociator për të gjitha temat që janë diskutuar deri më tani në Bruksel, në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi.
“Gjithashtu, ua kam bërë të qartë se deri më tani nuk ekziston asnjë dokument i shkruar zyrtar apo draft-marrëveshje e përgatitur nga BE-ja. Kjo është e natyrshme, sepse ne jemi në fazën fillestare të negociatave për të arritur një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse. Përkundër kësaj, sapo ta mbaroj pushimin, të hënën do të takojë Ekipin Negociator dhe do ua japë edhe në formë të shkruar informacionet e përgjithshme për periudhën e deritashme të bisedimeve. Në këtë proces historik, ne do të punojmë së bashku dhe në koordinim me njëri-tjetrin”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ekipi negociator, i përbërë nga përfaqësuesit e Qeverisë dhe njërës nga partitë opozitare, ka kërkuar ditëve të fundit që t’i ketë në dispozicion të gjitha dokumentet zyrtare që ndërlidhen me procesin negociator të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.