Thaçi nuk mund të flas në emrin tim
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka thënë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi, po tenton të flasë në emër të 91 deputetëve.
Ajo ka thënë se presidenti nuk mund të flasë në emrin e saj dhe as në emër të qindra mijëra qytetarëve të tjerë të këtij vendi.
Postimi i plotë i saj:
Si sot 7 vite më parë, Thaçi solli për votim në Kuvend marrëveshjen e tij me Daçiqin, të cilën e quajti njohje të Kosovës nga Serbia. Marrëveshja, në fakt, krijoi Asociacionin e Komunave Serbe, legalizoi strukturat kriminale të veriut, i futi strukturat e sigurisë së Serbisë në institucionet tona, krijoi sistem jounitar gjyqësor e ofroi amnisti për serbët që kishin kryer krime. Atëherë votova KUNDËR, e bindur që kjo nuk ishte as njohje e as marrëveshje finale dhe vetëm hapte rrugë për shkelje të tjera të rënda në dëm të shtetësisë, integritetit territorial e sovranitetit të vendit.
Sot, 7 vite pas, po i njëjti tenton të flasë në emër të 91 deputetëve. Por, JO NË EMRIN TIM, e as në emër të qindra mijëra qytetarëve të tjerë të këtij vendi, të cilët njëjtë sikur më 6 tetor 2019, edhe sot qartë dinë të bëjnë dallimin e të mirës me të keqen.