Thaçi: Nuk mund ta vizitojë Luginën, jam i dënuar në mungesë nga Serbia
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nuk mund ta vizitojë Luginën e Preshevës, ngase autoritetet serbe e mbajnë në fuqi dënimin ndaj tij.
“Jam i dënuar në mungesë nga Serbia. Atë dënim Serbia nuk ma ka falur kurrë dhe as unë nuk e kam kërkuar atë falje. Unë nuk mund t’ia mësyj kufirit dhe të ballafaqohem fizikisht me policinë e Serbisë”.
“Aktualisht rrethanat janë të atilla që Beogradi nuk e sheh të dobishme e as të arsyeshme prezencën time atje. Nuk e kam bërë kurrë kërkesën, por e imagjinoj sjelljen e tyre. Por, pavarësisht nëse e vizitoj apo jo, unë do të punoj ngushtë me përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Banorët e atjeshëm janë banorët më të diskriminuar në Evropë”, ka thënë Thaçi pas takimit me liderët e Luginës së Preshevës.
Thaçi ka thënë se Kosova nuk është vetëm ai. “Kosova nuk është vetëm Hashim Thaçi dhe ata që nuk mund të shkojnë në Serbi, sepse ishin bartës të luftës çlirimtare. Por, mendoj se ata që mund ta vizitojnë, mund ta bëjnë këtë pa pasur asnjë pasojë”, është shprehur Thaçi