Thaçi, opozitës: Ejani në dialog, patriotizmin tregojeni në tryezë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka raportuar në Qeverinë e Kosovës për takimin e fundit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
Gjatë këtij raportimi, Thaçi i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të përfshihet drejtpërdrejt në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë.
Ai ka thënë se marrëveshja eventuale me Serbinë duhet të ratifikohet me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Po ashtu, Thaçi u ka bërë thirrje partive politike parlamentare që të t’i përcaktojnë modalitetet e përfshirjes në dialog me Serbinë.
Më tutje, ai ka folur kritikat e opozitës në raport me këtë proces. Në këtë kontekst, Thaçi i ka bërë thirrje opozitës që jetë pjesë e delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë.
“Ejani dhe bëhuni pjesë e dialogut. Jepni dijen dhe patriotizmin tuaj në tryezë. Ky do të ishte veprimi më i duhur, me racional dhe më i guximshëm të cilin e presin qytetarët e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se gjatë javës së ardhshme pret nga liderët politikë pozitë dhe opozitë të ulën për të konkretizuar ekipin negociator të Kosovës.
Gjatë këtij raportimi, Thaçi ka njoftuar në detaje kabinetin qeveritar për takimin e fundit me shefen për politik të jashtme të Bashkimit Evropian ( BE), Federica Mogherini dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
/Epoka e re/