Thaçi: Pa humbur kohë t’i hapim rrugë liberalizimit të vizave
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në adresimin e tij të fundvitit, ka thënë se viti 2018 e pret Kosovën me disa obligime të cilat me patjetër duhet përfunduar.
“Më 2018-n, shënojmë 10-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë. Ky jubile duhet të shërbejë si motiv shtesë për të shënuar progres vendimtar për konsolidimin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ndërsa ka uruar qytetarët për Vitin e Ri, ka deklaruar se në 2018-n, saktësisht në 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, do të themelohet Ushtria e Kosovës.
Ai po ashtu ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij rreth marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, ndërsa ka potencuar se ky obligim duhet të realizohet për të përfunduar izolimin e qytetarëve të vendit. “Vitin tjetër duhet që pa humbur kohë të kryejmë punët të tjera të rëndësishme, si ratifikimi i marrëveshjes së vijës kufitare me Malin e Zi, për t’i vënë fund izolimit dhe për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave nga Bashkimi Europian. Do të përfundojmë transformimin e FSK-së do ta themelojmë Forcat e Armatosura të Kosovës”, ka përfunduar Thaçi adresimin e tij.