Thaçi: Pa luftën e drejtë të UÇK-së, Kosova s’do bëhej vend i lirë
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore për Ditën e Dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, e cila është edhe dita e rënies së heroit Agim Ramadani, të organizuar në kuadër të manifestimit “Ditët e Shqipes”.
Kreu i shtetit ka thënë se dy ditë më parë, me nderimet më të larta institucionale u shënua përvjetori i 19-të i njërës nga betejat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, asaj të Koshares.
“Kosova kishte hyrë në fazën vendimtare të çlirimit. Aleanca më e fuqishme ushtarake e botës, NATO, dy javë më herët kishte filluar bombardimet në caqet ushtarake dhe policore serbe. Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte kaluar nëpër shumë sprova, duke u treguar forcë e pamposhtur ushtarake dhe politike. UÇK-së iu kishin bashkuar jo vetëm pjesëtarë nga Kosova, por edhe nga trojet e tjera shqiptare dhe nga diaspora”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai tha se thirrjes së Shtabit të Përgjithshëm për mobilizim iu përgjigjen të gjitha kategoritë sociale, vullnetarë të shumtë, të rinj e të reja, burra e gra, ish-oficerë e atdhetarë që kishin pritur me padurim momentin për të kontribuar për lirinë e vendit tonë.
Presidenti Thaçi ka thënë se Epopeja e UÇK-së në Prekaz, Epopeja e Dukagjinit në Gllogjan, betejat në Zonat Operative të Drenicës, Llapit, Pashtrikut, Nerodimes, Shalës dhe Karadakut janë tërësia e qëndresës dhe sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si një dhe e vetme.
Ai ka theksuar se pa luftën e drejtë të UÇK-së, pa sakrificën e dëshmorëve të lirisë, pa përkrahjen dhe rezistencën gjithë qytetare, pa mbështetjen e botës demokratike, Kosova nuk do të bëhej vend i lirë.
/Epoka e re/