Thaçi para studentëve: Marrëveshja me Serbinë do të jetë e rëndë dhe e dhimbshme
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi edhe sot ka folur për dialogun Kosovë-Serbi.
Gjatë bashkëbisedimit me studentët e Universitetit të Prishtinës, presidenti ka thënë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të jetë e vështirë dhe e dhimbshme.
“Do të jetë marrëveshje e vështirë dhe e dhimbshme. Ne me kompromise kemi arritur shumë. Mbi bazat e kompromisit kemi ecur edhe në Vjenë. Nuk do të jetë betejë se kush kë do ta mund. Synimi është që do të jetë një marrëveshje që palët do të ndihen të dinjitetshme. Kosova nuk guxon të marrë përgjegjësinë e dështimit të dialogut”, ka thënë presidenti Thaçi.
Thaçi ka folur edhe për liberalizimin e vizave. Ai ka theksuar se është optimist se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza deri në fund të këtij viti.
“Unë shpresoj që gjatë periudhës së Krishtlindjeve, diku nga Viti i Ri, të gjithë së bashku do të mund të lëvizim lirshëm qoftë në Vjenë, Bruksel, Paris apo vendet e tjera të BE-së – aty ku dëshironi të shkoni dhe aty ku e meritoni të jeni”, është shprehur Thaçi.
/Epoka e re/