Thaçi paralajmëron serbët: Kush largohet nga institucionet më nuk do të kthehet
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar pjesëtarët e komunitetit serbë se nëse respektojnë thirrjen e Beogradit që nesër t’i braktisin institucionet e Kosovës më nuk do të kthehen në ato vende pune.
Në profilin e vet në “Facebook”, Thaçi ka shkruar se është në vullnetin individual të secilit që të vendos nëse do të qëndrojë apo të largohet, por, sipas tij, një gjë është e qartë: nuk do të lejohet vakum dhe çdokush që largohet më nuk do të kthehet.
Ai ka vlerësuar se Serbia duhet t’i ndalë menjëherë interferimet dhe veprimet armiqësore në punën e institucioneve të Kosovës
Postimi i plotë i presidentit Thaçi:
Nesër kalon afati kur autoritetet e Beogradit kanë paralajmëruar se do të nxisin segmente të caktuara të pjesëtarëve të komunitetit serb për të marrë vendim nëse do të largohen apo të qëndrojnë në institucionet e Republikës së Kosovës. Pasi kjo ka të bëjë me segmente të sigurisë dhe ata janë shtetas të Republikës së Kosovës, ritheksoj se Serbia duhet t’i ndalë menjëherë interferimet dhe veprimet armiqësore në punën e institucioneve të Kosovës, si dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë shumë më e vëmendshme për këtë.
Nëse pjesëtarët e cilitdo komunitet largohen nga institucionet, konkretisht nga policia dhe mekanizmat e tjerë të sigurisë, të gjithë atyre ua rikonfirmoj edhe sot se do të respektohet në plotni kushtetutshmëria dhe ligjshmëria për të gjithë. Është në vullnetin individual të secilit që të vendos nëse do të qëndrojë apo të largohet, por një gjë është e qartë: nuk lejojmë vakum dhe çdokush që largohet më nuk do të kthehet. Vendet e tyre do të plotësohen menjëherë me pjesëtarë tjerë të të gjitha komuniteteve. Kosova nuk është më tepër e një etnie apo më pak e një tjetre, por është e të gjithëve dhe ne duhet ta ndërtojmë së bashku! HTH