Thaçi pas përfundimit të takimit në Bruksel: Zgjidhja përfundimtare nuk është e lehtë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas përfundimit të takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, i cili u zhvillua të dielën në Bruksel me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, ka bërë me dije se në këtë takim është biseduar për arritjen e një kornize të përgjithshme të marrëveshjes finale.
Ai ka thënë se kjo marrëveshje duhet të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti Thaçi ka thënë se të dyja palët duhet të punojnë në mënyrë progresive për arritjen e marrëveshjes. “Duhet të punojmë në paqe dhe stabilitet. Mos ta provokojmë njëri-tjetrin. Nuk është e lehtë të shkohet drejt zgjidhjes përfundimtare”, ka thënë ai.
Presidenti shpreson se është momentumi i duhur për arritjen e kësaj marrëveshje, raporton “Epoka e re”.
Ai ka thënë se nëse e humbin këtë momentum të dyja shtetet do ta paguajnë çmimin e lartë.
Thaçi ka bërë me dije se pa një marrëveshje të plotë Kosova nuk mund të realizojë qëllimin e saj për anëtarësim në NATO dhe BE. Gjithashtu sipas tij, as Serbia nuk mund të realizojë qëllimet e saja pa një normalizim me Kosovën.
Ai ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk mund të mbesim viktimë e së kaluarës së hidhur, por sipas tij duhet shikuar nga e ardhmja.
/Epoka e re/