Thaçi: Pas sakrificës se Jasharëve, bota e kuptoi drejt Kosovën
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova me nderimet më të larta shtetërore sot kujton sakrificën e pashembullt e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari.
Në ceremoninë e shënimit të 21-vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, ai ka thënë se sakrifica e kësaj familje bëri kthesë të jashtëzakonshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar të çështjes së Kosovës.
Sipas tij, pas kësaj ngjarje bota fillojë ta kuptojë drejt Kosovën.
“Bota filloi ta kuptojë drejt Kosovën. Epopeja e UÇK-së dëshmoi se kthim prapa nuk kishte në luftën tonë për liri dhe çlirim. UÇK-ja u bë projekti më madhor kombëtar në historinë e kombit shqiptarë”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se të bashkuar miqtë ndërkombëtar e përkrahin Kosovën edhe më shumë. “Të bashkuar si popull dhe institucione kemi energji që të bëjmë hapa gjigant. Të bashkuar miqtë do të na përkrahin edhe më shumë. Kosova në të ardhmen e afërt do të bëhet pjesë e NATO-së e Bashkimit Evropian, OKB-së dhe do t’i forcojmë raportet speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë presidenti Thaçi.
/Epoka e re/