Thaçi për 30-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut: Vullneti i popullit tonë për liri dhe pavarësi ishte shekullor
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përkujtuar 7 Shtatorin e vitit 1990 kur deputetët e atëhershëm miratuar Kushtetutën e Kaçanikut, e cila ishte bazament i fuqishëm për ndërtimin e jetës demokratike dhe institucionale në Kosovë.
Përmes një postimi në “Facebook”, Thaçi ka thënë se ngjarjet e 2 korrikut dhe 7 shtatorit të vitit 1990 ishin akte të guximshme të delegatëve shqiptarë, që dëshmuan vendosmëri dhe vetëdije të lartë kombëtare e shtetformuese.
“Vullneti i popullit tonë për liri dhe pavarësi ishte shekullor. I tillë ishte edhe vullneti i përfaqësuesve politikë. Ngjarjet e 2 korrikut dhe 7 shtatorit të vitit 1990 ishin akte të guximshme të delegatëve shqiptarë, që dëshmuan vendosmëri dhe vetëdije të lartë kombëtare e shtetformuese”.
“Sot, me respekt të veçantë, kujtojmë sakrificën dhe përkushtimin e deputetëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, që në rrethana të jashtëzakonshme miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila ishte bazament i fuqishëm për ndërtimin e jetës demokratike dhe institucionale në Kosovë. Liria dhe pavarësia ishin ëndërr e shumë brezave, që sakrifikuan gjithçka për t’i bërë realitet”, ka shkruar Thaçi.