Thaçi për gazetën gjermane: Ideologjitë antiperëndimore s’kanë shanse në Kosovë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për gazetën “Die Tageszeitung”, duke folur për dhjetëvjetorin e shtetësisë, ka theksuar se Kosova është një histori suksesi.
“Ne po përmirësojmë vazhdimisht pozicionin tonë ndërkombëtar. Ekonomia është gjithashtu në rritje, kemi arritur 4 për qind rritje ekonomike në vitet e fundit”, ka deklaruar Thaçi.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit, shkrimtarit dhe njohësit të mirë të Ballkanit, Erich Rathfelder lidhur me perspektiven evropiane, Thaçi ka thënë se BE-ja duhet të rishqyrtojë politikën e saj hezituese të pranimit.
“Kosova është e pozicionuar pranë botës perëndimore. Ne i përmbahemi vizionit të qartë të integrimit euroatlantik. E mirëpres raportin e BE mbi strategjinë e integrimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Ne tregojmë durim dhe do të punojmë shumë për të përmirësuar situatën në Kosovë”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se Rusia po e përdor pushtetin e saj në Këshillin e Sigurimit për të penguar integrimin e Kosovës në organizatën botërore. Sipas tij, përveç kësaj, pesë shtete anëtare të BE nuk e njohën Kosovën diplomatikisht, përfshirë Spanjën, e cila është një handikapë i madh për ne.
Presidenti po ashtu ka folur edhe për konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetësisë së Kosovës. “Më lejoni të jem shumë i qartë: pozicionet dhe ideologjitë antiperëndimore nuk kanë asnjë shans dhe ndikim në Kosovë. Mbi të gjitha, ne duam që BE të reflektojë mbi politikën e saj hezituese dhe ne të vazhdojmë procesin e integrimit në BE dhe NATO”, ka thënë ai.
Sipas tij, gjendja e Kosovës është përmirësuar në vitet e fundit, derisa kufijtë janë të njohur ndërkombëtarisht dhe serbët e Kosovës janë të integruar në institucionet e vendit, duke përfshirë qeverinë dhe komunitetet.
Ai ka thënë se Rusia mund të luante një rol shumë pozitiv në procesin e paqes në qoftë se diplomatikisht e njeh Kosovën.
“Kjo do t’i jepte udhëheqjes serbe mundësinë për t’u larguar nga mitologjia e rreme”, ka thënë Thaçi.