Thaçi për “Korea Times”: Kosova vend i sigurt për investime të huaja
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për gazetën më të madhe dhe më të vjetër në Kore të Jugut “The Korea Times”, duke folur për marrëdhëniet ndërshtetërore, ka thënë se ngjashmërinë në historitë e Koresë dhe Kosovës janë bazë e mirë për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
“Lufta për çlirimin e të dy vendeve është mjaft e ngjashme dhe ne gjithashtu kemi miq dhe aleatë të ngjashëm në të gjithë botën”, deklaroi ai.
Thaçi është shprehur shumë mirënjohës për njohjen e Kosovës nga Korea e Jugut. “Ne do të jemi gjithmonë mirënjohës për këtë. Kosova është një mik i fortë i Koresë së Jugut dhe ndihem shumë pozitiv kur shoh ose dëgjoj se ka një numër në rritje të koreanëve që vizitojnë Kosovën. Unë shpresoj se do të marrim edhe më shumë investime nga Koreja”, shtoi ai për “Korea Times”. Gazeta shkruan se si shtet i ri, prodhimi i brendshëm bruto i Kosovës ishte 6.65 miliardë dollarë, që është 0.47 për qind e asaj të Koresë me 1.41 trilionë dollarë që nga viti 2016. Megjithatë, Thaçi tha se Kosova “ka potencial shumë të madh”, e cila forcën e saj industriale e ka në energji. “Është një treg tërheqës dhe i sigurt”, tha ai. “Ka siguri për investime dhe një kompani amerikane ka bërë investim prej 1.3 miliardë dollarësh në sektorin energjetik të Kosovës kohët e fundit. Unë ftoj koreanët që të ndjekin shembullin”, deklaroi ai, duke shtuar se qeveria po kërkon sektorë të tjerë industrialë për privatizim.
Ai ka folur edhe për përfaqësimin e Kosovës në Olimpiadën Dimërore në PyeongChang, duke thënë se ishte një ceremoni e mrekullueshme dhe këto Lojëra janë gjithashtu një pjesë e historisë për vendin tim, sepse Kosova po merr pjesë në Olimpiadën Dimërore për herë të parë.
“Kosova është një shtet i ri, por ka talente, veçanërisht në sportet individuale”, është shprehur Thaçi. “Ne gjithashtu shpresojmë për një medalje edhe këtu”, ka shtuar ai.