Thaçi për REL: Takimi me Vuçiqin për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare

03 mars 2020 | 08:42

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi të hënën në Uashington presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Thaçi tha për “Radion Evropa e Lirë” se në takim është diskutuar për “domosdoshmërinë e një zgjidhjeje paqësore të çështjeve Kosovë-Serbi” dhe për “mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare”.

“Takimi ka qenë korrekt, konstruktiv, pa ndonjë të veçantë. Është treguar një vullnet i mirë që gjërat të çohen përpara në interes të të dyja vendeve”, tha Thaçi.

“Fundi i dialogut duhet të vijë sa më shpejt që të jetë e mundur me një marrëveshje përfundimtare, e cila nënkupton njohjen reciproke, jo më pak ose më shumë, nën integritetin e tanishëm territorial. I gjithë procesi do të ndihmojë përshpejtimin e integrimit të Kosovës në NATO dhe në BE, si dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Ne nuk kemi kohë për të humbur dhe sigurisht se duhet të punojmë ngushtë me partnerët tanë. Nuk mund të presim nga adresa të tjera, të tilla si Bashkimi Evropian, me dy njerëz, vendet e të cilëve (Spanja dhe Sllovakia) nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Tani kemi një ofertë nga Uashingtoni dhe ne duhet të ecim përpara”, tha Thaçi.

I pyetur se cila është oferta e Uashingtonit, ai tha se SHBA-ja e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, se me SHBA-në është punuar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe se “oferta e SHBA-së është paqja, stabiliteti, zhvillimi dhe integrimi në NATO dhe BE”.

Presidenti Thaçi bëri të ditur se takimi është zhvilluar me ftesë të të dërguarit të posaçëm për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Robert O’Brien.

Thaçi tha se në takim nuk është diskutuar për “gjëra të veçanta”, ndërsa shtoi se edhe Kosova, edhe Serbia e kanë vlerësuar “rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara” në dialog.

“Shpresoj se në etapat e ardhshme do të kemi orientime, sa i përket substancës, por, në të njëjtën kohë, edhe afateve kohore. Por, ajo që mund të them aktualisht është se ky takim ka qenë takim i vullnetit të mirë, simbolikë e dërgimit të mesazhit të paqes për Kosovën dhe Serbinë dhe për Ballkanin Perëndimor”, tha Thaçi.

Ai tha se takimi i së hënës rikonfirmon edhe një herë zotimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që t’i lëvizë gjërat përpara me një dinamikë të re.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sierra Leone ka tërhequr njohjen e Kosovës si shtet i…