Thaçi përkujton Holokaustin: Krenar që kemi shpëtuar hebrenjtë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka përkujtuar Holokaustin, njërin prej tmerreve më të mëdha në historinë e njerëzimit.
Thaçi ka thënë se shqiptarët duhet të ndihen krenar për me rolin që kanë luajtur në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Sot kujtojmë një prej tmerreve më të mëdha në historinë e njerëzimit, Holokaustin, që mori jetët e miliona civilëve vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike. I kujtojmë dhimbjet që i mësuam nga dëshmitarët, duke u munduar të nxjerrim mësime rreth shkaktarëve të kësaj mizorie, për të mos lejuar që të përsëritet më për asnjë popull. Botës i janë dashur dekada të tëra që të përballet me peshën e krimeve të Holokaustit dhe me përgjegjësinë e atyre që nuk e ndaluan një tragjedi të tillë. Prandaj angazhohemi për barazi, sundim të ligjit, liri dhe të drejta të barabarta për të gjithë. Si shqiptarë, ndjehemi krenarë me rolin që kemi luajtur në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/