Thaçi përkujton masakrën e Srebrenicës, kërkon dënimin e kriminelëve serbë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përkujtuar 24-vjetorin e masakrës në Srebrenicë ku janë vrarë rreth 8 000 mijë njerëz.
Ai ka thënë se është fatkeqësi që edhe pas dy dekadave, kriminelët serbë, autorë të këtyre krimeve makabre në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë nuk janë dënuar nga drejtësia ndërkombëtare.
“Masakra e Srebrenicës, 24 vjet më parë, rikthej tragjedinë e Luftës së Dytë Botërore – të popullvrasjeve masive. Ky gjenocid i urdhëruar nga regjimi i Millosheviqit, ku u vranë rreth 8 mijë njerëz, ishte edhe një paralajmërim se deri në çfarë mase mund të shkonte çmenduria e regjimit serb. Me të njëjtën logjikë, ky regjim vrastar vazhdoi masakrat edhe në Kosovë në vitet 1998-1999. Është fatkeqësi që edhe pas dy dekadave, kriminelët serbë, autorë të këtyre krimeve makabre në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, nuk janë dënuar nga drejtësia ndërkombëtare. Sot, 24 vjet pas masakrës së Srebrenicës, me dhimbje të madhe i kujtojmë tmerret që ndodhën atje”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/