Thaçi: Populli ynë i dha botës nënën më të dashur për gjithë njerëzimin
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përkujtuar Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Shën Nënë Tereza në përvjetorin e 110 të lindjes.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se populli shqiptar i dha botës nënën më të dashur për gjithë njerëzimin.
“Si popull i vogël jemi shumë krenarë që i kemi dhënë botës një shenjtore kaq të madhe, siç është Shën Tereza”, ka shkruar Thaçi.
Postimi i plotë i Thaçit:
Populli ynë i dha botës nënën më të dashur për gjithë njerëzimin. I dha Shën Terezën, e cila më 26 gusht 1910, para 110 vjetësh, erdhi në këtë botë për t’u bërë simbol i mirësisë së saj. Me shpirtin e saj solidar, me rrugën fisnike dhe kujdesin që tregoi për njerëzit në nevojë, ajo u bë mishërim i vlerave më të mira njerëzore.
Shën Tereza është kudo e lartësuar dhe shumë institucione, sheshe e rrugë në botë mbajnë emrin e saj.
Me shenjtërimin e Nënës Terezë është shenjtëruar edhe prejardhja shqiptare dhe për bamirësinë e saj do të jetë përjetësisht e admiruar.
Si popull i vogël jemi shumë krenarë që i kemi dhënë botës një shenjtore kaq të madhe, siç është Shën Tereza