Thaçi, presidenti i vetëm në rajon që pritet nga Macroni (Foto)
Njëri ndër personalitet më të fuqishëm të botës dhe me ndikim të madh në Evropë, presidenti francez, Emmanuel Macron, ka pritur të mërkurën në takim presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.
Në këtë takim bilateral ndërmjet dy presidentëve është biseduar për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Francës, si dhe për mundësinë e një shkëmbimi më të madh tregtar.
Presidenti Thaçi ka falënderuar presidentin francez, Macron, për mbështetjen që Franca i ka dhënë Kosovës për lirinë, pavarësinë dhe në procesin e shtetndërtimit dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
“Franca është një aleat strategjik i Kosovës. Vizioni i presidentit Macron për Evropën dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor është një garanci për integrimin tonë në BE dhe NATO”, ka theksuar Thaçi.
Ai ka thënë se ka marrë mbështetje të plotë nga presidenti francez për rrugën e pakthyeshme të Kosovës drejt reformave dhe integrimeve euroatlantike.
Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është e përkushtuar që të përmbyllë këtë proces, i cili do të përfundojë me anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Ndërsa presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka dhënë mbështetje të plotë presidentit Thaçi në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti Thaçi është presidenti i vetëm në rajon që është pritur këtë vit nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.