Thaçi priti kongresistin amerikan Ed Case, flasin për paqen dhe stabilitetin rajonal
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur kongresistin amerikan Ed Case, i cili shoqërohej edhe nga ambasadori amerikan, Philip Kosnett.
Presidenti Thaçi dhe kongresisti amerikan Ed Case biseduan për bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, për kontributin e ushtarëve amerikanë në kuadër të KFOR-it në Kosovë dhe për situatën politike në rajonin tonë.
Kongresisti Case afirmoi se Shtetet e Bashkuara mbeten partner i palëkundur i Kosovës dhe se krenohet me shërbimet që anëtarët e Gardës Kombëtare të Hawait i ofrojnë KFOR-it.
“Ushtarët amerikanë janë heronjtë tanë. Ata janë duke e bërë një punë të mrekullueshme në Kosovë dhe e gëzojnë respektin e të gjitha komuniteteve. Ushtarët amerikanë janë shpresë dhe besim për ne!”, u shpreh presidenti Thaçi.
Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku kongresisti Case nxiti vazhdimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila do të forconte paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe do ta përshpejtonte procesin e integrimeve euroatlantike të Kosovës.
Presidenti Thaçi theksoi se letrat e presidentit Trump janë udhërrëfyes për Kosovën në arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
“Dialogu është alternativa e vetme dhe sa më shumë që vonohet rifillimi i tij, aq më shumë do të zgjasin proceset integruese”, ka thënë presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi dhe kongresisti Ed Case biseduan edhe për investimet amerikane në Kosovë.