Thaçi: Qerim Kelmendi ishte prej veprimtarëve të hershëm të çështjes kombëtare
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se ish-ushtari i UÇK-së, Qerim Kelmendi, të cilin e ka shpallur Hero të Kosovës, ishte një prej veprimtarëve më të hershëm të çështjes kombëtare.
Në profilin e tij në “Facebook”, presidenti ka shkruar se Kelmendi ishte pjesëmarrës në shumë aksione ushtarake dhe ishte ndër të plagosurit e parë me uniformën e UÇK-së.
Postimi i plotë i presidentit:
Qerim Kelmendi ishte një prej veprimtarëve më të hershëm të çështjes kombëtare dhe ndër ushtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ishte pjesëmarrës në shumë aksione ushtarake dhe ishte ndër të plagosurit e parë me uniformën e UÇK-së.
E tërë familja Kelmendi ka dhënë kontribut të madh në organizimin e UÇK-së dhe në luftën tonë për liri.
Për kontributin e madh të Shpirtmadhit, siç ne e quanim Qerim Kelmendin në luftë, atë e kam shpallur Hero të Kosovës.
(M.K / Epoka e re)