Thaçi: Reçaku hyri në historinë e Kosovës si simbol i sakrificës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përkujtuar të rënët në masakrën e Reçakut. Ai ka thënë se një ditë kriminelet e kësaj masakre do të japin përgjegjësi.
“Para 20 vjetësh, Reçaku hyri në historinë e Kosovës si simbol i sakrificës dhe martirizimit për lirinë që e gëzojmë sot. 15 janari i vitit 1999 ishte një ditë shumë e rëndë për Reçakun dhe tërë Kosovën, por ishte edhe një kthesë e madhe në ndërkombëtarizimin e luftës së drejtë të popullit tonë. Pas gjenocidit të ushtruar nga forcat serbe në Reçak, u zgjua tërë bota demokratike dhe vuri në lëvizje gjithë diplomacinë ndërkombëtare”.
“Për krimet që forcat policore dhe ushtarake serbe i kanë kryer në Kosovë, një ditë do të japin përgjegjësi. Por, sot e përgjithmonë, ne i kujtojmë dhe nderojmë të gjithë martirët, dëshmorët dhe heronjtë e luftës sonë çlirimtare. Martirët dhe dëshmorët e Reçakut janë themeli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/