Thaçi: Reçaku shënon pikën kulminante të masakrave dhe krimit kundër njerëzimit të kryer nga shteti i Serbisë
Presidenti Hashim Thaçi ka bërë sot homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak.
Ai pas homazheve ka dhënë një deklaratë për media, ku ka theksuar se Reçaku shënon pikën kulminante të masakrave dhe krimit kundër njerëzimit të kryer nga shteti i Serbisë në Kosovë.
“Sot është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut për çka shteti i Kosovës është duke punuar maksimalisht që të respektohen në kuptimin më afirmativ dhe plotësisht me standardet më të larta perëndimore të të drejtave të njeriut në Kosovë, por edhe në të njëjtën kohë ne gjithmonë duhet të kujtojmë të kaluarën që të jemi të sigurt përpara për një të ardhme të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim, për forcimin e shtetit për të ardhmen tonë euroatlantike. Sot pikërisht kam zgjedhur që ta vizitojë Reçakun që është pika kulminante e masakrave të shtetit të Serbisë që ka kryer kundër popullatës civile në Kosovë në kuadër të fushatës së gjenocidit të ushtruar nga shteti i Serbisë. Serbia ka kryer në Kosovë rreth 400 masakra kundër civilëve shqiptarë, ka vrarë 1 300 fëmijë, ndërsa aparati shtetërore I tyre ka dhunuar rreth 20 mijë gra, në të njëjtën kohë kemi rreth 13 mijë shqiptarë civilë të vrarë. E ritheksoj, Reçaku shënon pikën kulminante të masakrave dhe krimit kundër njerëzimit të kryer nga shteti i Serbisë në Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi, raporton “Epoka e re”.
https://www.facebook.com/HashimThaciOfficial/videos/2486499304898707/