Thaçi: Rëndësi jetike për ne është që ShBA-ja dhe BE-ja të kenë koordinim
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur të martën në takim përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.
Pas takimit Thaçi e Lajçak kanë mbajtur një konferencë për media.
Thaçi ka thënë se pozicioni zyrtar i Kosovës është që në këtë proces të dialogut Kosovë-Serbi duhet të fillohet me liberalizim të vizave e të përmbyllet sa më shpejt me njohje reciproke mes dy shteteve.
“Kosova ka një të ardhme dhe alternativë të vetme që të jetë pjesë e familjes evropiane. Diskutuam edhe për angazhimet që do t’i ketë Lajçak në çështjen e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë çdo përpjekje që çon drejt normalizimit të plotë mes Kosovës dhe Serbisë është e mirëseardhur. Unë dua të besoj se do të kemi veprime konkrete dhe dobiprurëse për dy popujt nga ky angazhim. Pozicioni zyrtar i shtetit të Kosovës në këtë proces është se duhet të fillojë me liberalizimin e vizave dhe duhet të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur me një njohje reciproke”, ka thënë Thaçi në konferencën për media pas takimit.
Thaçi ka thënë se Kosova ka besim të plotë në SHBA. “Përqafojmë vlerat evropiane dhe jemi evropianë. Do të punojmë që këto vlera të ngadhënjejnë dhe të jemi të vlerësuar nga BE-ja. BE-ja është vonuar shumë dhe duhet të lëvizë më shpejt. Kosova do të jetë në Shtëpinë e Bardhë. Për ne është me rëndësi jetike që ShBA dhe BE të kenë koordinim”, ka thënë Thaçi.