Thaçi: Rilindja Kombëtare krijoi bazë të fuqishme për ndërgjegjen tonë historike
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në shënimin e 110 vjetorit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Kryeqytetin e Maqedonisë.
Presidenti Thaçi ka thënë se njëqindedhjetë vjet më parë, rilindësit tanë në Kongresin e Manastirit përcaktuan alfabetin e gjuhës shqipe.
“Sot e kujtojmë këtë të arritur, si një moment kur është përcaktuar jo vetëm se çfarë shkronja do të përdorim, por edhe se cilit klub të kombeve do t’i përkasin shqiptarët, shoqëria jonë, shtetet tona. Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kongresi i Manastirit ishte ngjarje më e rëndësishme historike për ne. Ishte pikërisht Rilindja Kombëtare ajo që krijoi bazë të fuqishme për ndërgjegjen tonë historike, pa të cilën nuk mund të bëhet as interpretimi i së kaluarës, as kuptimi i së tashmes, por as projektimi i së ardhmes”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka thënë se kultura dhe qytetërimi ynë sot krenohen me emrat që në shekujt më të errët e kultivuan shkrimin shqip.
“Pesëqind vjet para Kongresit të Manastirit, kultura shqiptare ishte shkëputur dhunshëm nga rrjedhat e qytetërimit perëndimor. Por, rilindësit tanë të shpërndarë nëpër botë, por edhe ata që vepruan brenda, nuk i ndalën asnjëherë përpjekjet për emancipimin politik dhe kulturor të kombit tonë. Ata vepruan nëpër qendra të ndryshme kulturore, përdorën alfabete të ndryshme dhe variante të ndryshme gjuhësore. Por, nuk hoqën dorë kurrë nga synimi për unitetin shpirtëror dhe kulturor, si përbërës themelor të qenies kombëtare shqiptare”, u shpreh presidenti Thaçi.
Si atdhetarë të vërtetë, presidenti Thaçi ka thënë se delegatët e Kongresit të Manastirit, me objektivitet shkencor e nën dritën e përkatësisë evropiane të kombit shqiptar, u ngritën mbi logjikën fragmentare, mbi psikologjinë krahinore, mbi përkatësinë fetare dhe morën vendim të interesit mbarëkombëtar.
Sot, pas njëqindedhjetë vjetësh, presidenti Thaçi ka thënë se jemi krenarë për vendimet e Kongresit të Manastirit.
“Jemi krenarë për atë frymë vizionare që qenien tonë kulturore e identifikoi aty ku e ka pasur gjithmonë vendin, historikisht, gjeografikisht, si popull me origjinë të lashtë dhe gjuhë indoevropiane, në vlerat e kulturës perëndimore”, ka thënë ai.
Me këtë alfabet, presidenti Thaçi ka thënë se është shkruar dokumenti i Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912.
Është shkruar, ka shtuar ai, edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008.
“Është shkruar edhe historia e ushtrive tona çlirimtare dhe historia e rezistencës civile gjithandej vendeve shqiptare. Me të është krijuar edhe aleanca me botën e përparuar demokratike, me demokracitë perëndimore, SHBA-në, BE-në, me NATO-n. Me këtë alfabet, që prodhon kulturë të tolerancës dhe miqësisë me popujt fqinj, po shkruhet edhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore në Ballkanin e perspektives evropiane”, ka thënë presidenti Thaçi.
I pari i vendit ka theksuar se Manastiri ka qenë, është dhe do të mbetet përjetësisht Kryeqytet i Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
“Ky fakt na afron edhe më shumë me shtetin e Maqedonisë. Më lejoni që këtu t’ju uroj edhe për vendin e ri të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë. Për zyrtarizmin e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë kontribut të madh ka dhënë edhe brezi i tanishëm i politikanëve shqiptarë. Keni dhënë edhe ju që sot jeni prezentë këtu. Prandaj, manifestimet e sivjetme janë më të veçanta, pasi që gjuha shqipe tashmë është bërë edhe gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”, ka thënë Thaçi.
Në këtë frymë, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova e konsideron historike edhe arritjen e marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë lidhur me emrin zyrtar të shtetit maqedonas.
Rajoni ynë, popujt tanë, sipas presidentit Thaçi, po bëhen shembull pozitiv i tejkalimit të së kaluarës dhe ndërtimit të paqes së qëndrueshme.