Thaçi: Sakrifica për Specialen ia ka vlejtur, bota sot e di se nuk kishte trafikim organesh
Ish-presidenti dhe lideri politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, ka mbajtur një fjalim para trupit gjykues në Gjykatën Speciale, në kuadër të fjalës hyrëse të mbrojtjes së tij me rastin e fillimit të procesit gjyqësor në Hagë ndaj katër drejtuesve të UÇK-së.
Në këtë paraqitje, Thaçi ka folur për rrugëtimin dhe kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Thaçi ka mohuar të gjitha akuzat me të cilat ngarkohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
“Viktimat nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër. Unë jam i pafajshëm për të gjitha këto akuza. Por, unë jam gati të përballëm me këtë sfidë të re dhe të kem sukses për familjen time, për popullin tim dhe vendin tim. Rruga jonë drejtë lirisë ishte e gjatë dhe shumë e vështirë. Unë isha student në Zvicër, i strehuar politik kur u masakrua familja Jashari në mars të vitit 1998. Si shumë shqiptarë nga diaspora edhe unë u ktheva për të ndihmuar vendin tim dhe iu bashkova rezistencës për lirinë e Kosovës. Kushdo që do të ishte në vendin tonë do të kishte bërë të njëjtën gjë kur t’u hiqej liria”, ka thënë Thaçi.
Në fjalën e tij, Thaçi është ndalur edhe tek raporti i Diçk Martyt mbi bazën e të cilit është formuar Gjykata Speciale.
Në këtë kontekst, Thaçi ka thënë se sakrifica për Specialen ia ka vlejtur dhe tashmë krejt bota e di se në Kosovë nuk ka pasur trafik organesh dhe as kishte “Shtëpi të Verdhë”.
“Kur raporti i Dick Martyt, para 13 vitesh mbushi titujt e mediave ndërkombëtare me akuza të sajuara për trafik organesh nga UÇK-ja dhe nga unë, unë menjëherë i kërkova bashkësisë ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur. Bashkësia ndërkombëtare me tha se një gjykatë e veçantë ishte parësore për të hequr rënë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovë. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafik të organesh dhe se ‘Shtëpia e Verdhë’ nuk kanë ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë edhe UÇK-ja edhe populli i Kosovës dhe të gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra kjo sakrificë ia ka vlejtur. Unë pres që të shfajësohem nga çdo akuzë tjetër ndaj meje në përfundim të këtij procesi”, ka thënë Thaçi.
Ky është fjalimi i plotë i Thaçit para trupit gjykues në Gjykatën Speciale