Thaçi: S’do të kenë sukses përpjekjet për t’i njollosur vlerat dhe sakrificat e UÇK-së

31 maj 2019 | 14:01

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se heroi Xhemajl Fetahaj, hyn në radhët e veprimtarëve dhe luftëtarëve që kanë biografi të jashtëzakonshme në rrugën e realizimit të idealit për liri dhe pavarësi.

“Para 20 vjetësh Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) krahas luftës heroike, pati dhe goditje. Sot e 20 vjet më parë ranë heroikisht bashkëluftëtarët tanë Xhemajl Fetahaj e Milazim Shala, aty ku po thyhej përfundimisht kufiri Shqipëri-Kosovë. Xhemajl Fetahaj hyn në radhët e veprimtarëve dhe luftëtarëve që kanë një biografi të jashtëzakonshme në rrugën e realizimit të idealit të tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

“Xhemajl Fetahaj si pjesëtar i Organizatave Çlirimtare, si student i Historisë, përjetoi burgun prej nga e forcoi edhe më tepër bindjen për të punuar edhe më shumë kundër sundimit të Serbisë në Kosovë. Pas daljes nga burgu ai dha një kontribut të çmuar në lëvizjen për pajtim dhe kundër hakmarrjes. Xhemajl Fetahaj t’i ikur arrestimit të dytë ai përjeton mërgimin por asnjëherë nuk e ndal aktivitetin e tij kombëtar për çlirimin e Kosovës”, ka thënë Thaçi, në akademinë përkujtimore kushtuar heroit Xhemajl Fetahaj.

Ai ka thënë se rënia e dëshmorëve të shumtë në beteja, sakrifica e martirëve gjithandej Kosovës tregon më së miri çmimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Edhe unë kisha nderin të bashkëveproja në organizatë politike me Xhemajl Fetahaj. Rënia e dëshmorëve të shumtë në beteja, sakrifica e martirëve gjithandej Kosovës tregon më së miri çmimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është projekti më i suksesshëm politik dhe ushtarak i kombit shqiptar në shekullin e kaluar por dhe në histori. Ushtria Çlirimtare është projekti më produktiv, rezultat dhënës për Kosovën si në aspektin e brendshëm por edhe në atë ndërkombëtar”, ka thënë Thaçi.

Më tutje, Thaçi ka theksuar se UÇK-ja është projekti më produktiv që i ka ndodhur Kosovës. Në këtë kontekst, ka thënë se nuk do të kenë sukses ata që duan të njollosin këtë vlerë.

“Sa më shumë po kalon koha aq më shumë po dalin në pah vlerat e luftës së drejtë të UÇK-së. Prandaj asnjëherë nuk do të kenë sukses asnjë përpjekje për të njollosur vlerat dhe sakrificat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Për dy dekada Kosova ka bërë një progres të jashtëzakonshëm. Viti 2019 është shpallur Viti i NATO-s, sepse e themeluam ushtria. Kosova do të mbetet gjithmonë, mirënjohëse përjetë për kontributin e jashtëzakonshëm të ShBA-së, Bashkimit Evropian dhe NATO-s për lirinë e Pavarësinë që sot ne e gëzojmë”, është shprehur Thaçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Wanda Nara ka përsëritur se Mauro Icardi planifikon të qëndrojë…