Thaçi: Situata në komunat e veriut e papranueshme, është rezultat i neglizhencës së Qeverisë së Kosovës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se situata e krijuar në komunat e veriut të Kosovës “është e papranueshme dhe është rezultat i neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i ndihmuar e mbrojtur qytetarët dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”.
Sipas tij, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të institucioneve dhe organeve kompetente për parandalimin e pandemisë COVID-19, duke iu krijuar kështu hapësirë ilegale vepruese autoriteteve të Serbisë brenda territorit të shtetit tonë.
“Të gjitha masat e ndërmarra nga institucionet shëndetësore dhe ato të rendit e ligjit, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka për detyrë të sigurohet që të zbatohen anekënd territorit të Republikës së Kosovës. Si President i Republikës së Kosovës jam duke e përcjellë me shumë shqetësim situatën e krijuar në veriun e Republikës së Kosovës. I bëj thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që t’i përmbushë përgjegjësitë e saj ndaj qytetarëve tanë, të të gjitha komuniteteve, në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, shkruan Thaçi në “Facebook”.