Thaçi, Soltesit: Jemi duke punuar për arritjen e konsensusit për dialogun
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur të martën në takim raportuesin e Bashkimit Evropian (BE) për Kosovën, Igor Soltes.
Thaçi e ka falënderuar raportuesin e BE-së për përkrahjen e deritashme.
“Jemi mirënjohës për përkrahjen e deritashme. Po punojmë që të prodhojmë sa më shumë argumente pozitive edhe për përkrahësit e Kosovës. Jemi duke punuar që të ndërtojmë konsensus politik për dialogun me Serbinë. Mos harroni që është krijuar një perceptim që i gjithë rajoni po ndihmohet, përpos Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ndërsa, raportuesi i BE-së për Kosovën, Igor Soltes, ka thënë se është në Kosovë për të mbledhur sa më shumë të dhëna, që të raportojë në Parlamentin Evropian.
“Për këtë jemi në Kosovë, që të mbledhim sa më shumë të dhëna nga udhëheqësit e institucioneve e Kosovës në mënyrë që të raportojmë në Parlamentin Evropian”, është shprehur Soltes.
Presidenti Thaçi ka theksuar se në Samitin e Sofjes është bërë e qartë që shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndërtojnë marrëdhënie evropiane ndërfqinjësore nëse dëshirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.
/Epoka e re/