Thaçi: Specialja nuk shfuqizohet, për këtë s’ka dilema
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se vendimi i Kuvendit të Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale vazhdon të jetë në fuqi dhe për këtë s’ka asnjë dilemë.
Thaçi në emisionin “Zona e Debatit” të “Klan Kosova”, ka theksuar që kohë më parë shprehje më ndryshe rreth Speciales, ka shtuar se zhurma e bërë ditë më parë rreth nismës për ta shfuqizuar Specialen, s’ka pasur nevojë të bëhej.
“Dilemat kanë qenë të hequra edhe më herët dhe nuk ka pasur asnjë dilemë. Zhurmat kanë qenë të panevojshme dhe ekzagjerime të panevojshme prej kujtdo që janë bërë. Sepse Kuvendi i Republikës së Kosovës ka marrë vendim të qartë, të prerë dhe të pastër në gusht të vitit 2015 që Kosova ka pranuar – edhe pse në një rrethanë mere ose lerë – ta themelojë gjykatën dhe ai vendim është në fuqi. Unë respektoj opinionet e çdo deputeti, opinionet e secilit, por nuk ka qenë një situatë çfare është menduar dhe është prezantuar në opinion”, ka pohuar Thaçi.
Ai ka treguar edhe se mendimi i tij për Specialen, është njëkohësisht edhe mendim zyrtar i shtetit të Kosovës.
“Sot kam dhënë qëndrimin e shtetit të Kosovës në atë se shteti i Kosovës qëndron pas vendimit të gushtit të vitit 2015; se gjykata nuk do të shfuqizohet dhe Kosova këtë rrethanë duhet ta shndërrojë në avantazh dhe jo në një situatë preokupuese me tendenca destabilizimi”, ka thënë ai.