Thaçi takim lamtumirës me ambasadorin e Maqedonisë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Maqedonisë në vendin tonë, Ilija Strashevski.
Me këtë rast, Thaçi e ka falënderuar ambasadorin Strashevski për punën që ka bërë në Kosovë në avancimin e marrëdhënieve në mes Maqedonisë dhe Kosovës.
“Marrëdhëniet në mes dy vendeve tona janë më shumë se sa vetëm marrëdhënie fqinjësore”, është shprehur presidenti Thaçi, duke shtuar se sukseset e secilit shtet reflektojnë edhe në shtetet fqinje.
Presidenti ka shprehur përkrahje për përpjekjet për të gjetur zgjidhje në kontestin e emrit në mes Maqedonisë dhe Greqisë.
“Zgjidhja e kontestit të emrit në mes Maqedonisë dhe Greqisë, si dhe anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të thotë stabilitet dhe paqe në tërë rajonin tonë”, ka theksuar Thaçi.
Ndërkohë, ambasadori Strashevski është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin në mes të Maqedonisë dhe Kosovës, duke pohuar se gjatë shërbimit të tij në Kosovë janë nënshkruar 15 marrëveshje bilaterale të rëndësishme dhe janë avancuar marrëdhëniet në mes dy vendeve.
Në fund të takimit, presidenti Thaçi i ka uruar ambasadorit Strashevski suksese në angazhimet e reja.
/Epoka e re/