Thaçi: Takohem me Lajçakun nëse vjen me diçka konkrete
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ekipi i tij do të komunikojë me ekipin e përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak pasi të vjen në Prishtinë.
“Lajçaku ende nuk është në Kosovë, kur të mbërrijë do të komunikojnë ekipet tona dhe do të shohim. Nëse Lajçaku ka diçka konkrete për të thënë, jam i gatshëm të takohem”, ka thënë Thaçi.
Thaçi në një konferencë për medie, ka thënë se nëse Lajçaku vjen vetëm për të hulumtuar terrenin, Kosova është duke hulumtuar tash e 20 vjet dhe se vendi ka nevojë për hapa konkretë e jo për “ligjërata të pafundme”.
“Nëse ka ardhur në Kosovë për të hulumtuar terrenin, atëherë s’ka nevojë për këtë. Lajçaku duhet të jetë i qartë, të tregojë se çfarë qëndrimi ka BE-ja për liberalizimin e vizave për kosovarët. Kjo na duhet më tepër se ligjëratat e pafundme”.
“Nëse e trajton Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur ashtu siç është dhe e ka njohur bota demokratike, atëherë procesi është më i lehtë, nëse jo, atëherë është mision jo i suksesshëm nga ana e tij”, ka thënë Thaçi.