Thaçi takohet me vajzat që do ta përfaqësojnë Kosovën në garën e robotikës në Dubai
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim ekipin që do ta përfaqësojë vendin në garën ndërkombëtare të robotikës “First Global Challenge”, ekip i cili është përgatitur dhe trajnuar në ambientet inovative të UBT-së.
Më këtë rast, presidenti Thaçi u ka dëshiruar sukses studentëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë garë në mesin e rreth 200 vendeve nga bota, e që sivjet mbahet në Dubai, më datë 24-27 tetor.
“Sot e takova grupin e studenteve inovatore që do ta përfaqësojnë Kosovën në Dubai në garën ndërkombëtare të robotikës në mesin e 170 shteteve. Kosova ka të rinj dhe të reja me talent në të gjitha fushat e shkencës, në sport dhe muzikë. Iu dëshiroj sukses Albanës, Eltës dhe Elitës”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Ekipi përfaqësues i Kosovës tash e disa muaj është përgatitur në laboratorët inovativë të mekatronikës në UBT, teksa punën e kanë zhvilluar nën mbikëqyrjen e stafit akademik të UBT-së. Bashkërisht, ata kanë ndërtuar robotin inovativ që do të jetë pjesë e garës në FIRST Global Challenge 2019.
Sfida e këtij viti përqendrohet në efektet e ndotjes së oqeaneve dhe ndikimin e saj negativ në jetën detare. Ekipet konkurruese nga kombe të ndryshme do të duhet të pastrojnë ndotësit nga oqeani duke përdorur robotë që kanë përbërës mekanikë, elektrikë dhe softuerë.