Thaçi takoi shefin e EULEX-it, biseduan për masat për tejkalimin e pandemisë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot shefin e misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë në rrethanat e pandemisë.
Thaçi ka shprehur mirënjohjen e tij për angazhimin e EULEX-it që t’i ndihmojë qytetarët e Kosovës dhe institucionet e rendit dhe ligjit në këto rrethana.
“Jemi falënderues për përkrahjen dhe mbështetjen që keni dhënë, si për qytetarët, ashtu edhe për institucionet e rendit dhe ligjit në këto rrethana të reja të paparashikuara”, ka thënë presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi ka vlerësuar bashkëpunimin e të gjithëve në tejkalimin e pandemisë.
Ndërsa shefi i EULEX-it është shprehur se misioni që drejton ai ka mbajtur të plota kapacitetet e veta dhe është përqendruar në përkrahjen e qytetarëve të Kosovë për kthim në vend në rrethanat e pandemisë, por edhe duke ofruar përkrahje, në veçanti me pajisje, për sistemin e drejtësisë, përfshirë edhe institucionet korrektuese. (L.G/ Epoka e re)